Zarf në fermë/ A do ja dalin fermerët të menaxhojnë saktë buxhetin për këtë javë?
Një moment kyç për javën ka ardhur në fermë me mbërritjen e zarfit të buxhetit. Kryefermerja e javës, Big Mama, ka lexuar përpara të gjithëve përmbajtjen e zarfit dhe ka njoftuar se fermerët këtë javë do të kenë në dispozicion 88% të buxhetit, një shifër e konsiderueshme që megjithatë kërkon menaxhim të kujdesshëm. Sipas udhëzimeve të Agait, brenda 60 minutave duhet të përpilohet dhe dorëzohet lista përfundimtare me të gjitha nevojat personale dhe të përbashkëta të fermerëve, përfshirë edhe artikujt bazikë të përditshmërisë. Pas rënies së gongut për nisjen e procesit të buxhetit, Big Mama ka nisur të mbledhë kërkesat individuale nga secili fermer. Për të përpiluar listën zyrtare, ajo ka caktuar Limin dhe Andrean, duke besuar në aftësinë e tyre për t’u marrë me organizimin dhe menaxhimin financiar. Megjithatë, nuk ka munguar edhe tensioni. Fermeri Erandi ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në hartimin e listës, por është përjashtuar nga Big Mama, e cila është shprehur se “Erandi nuk është i aftë për të plotësuar siç duhet listën e buxhetit”. Ky vendim ka sjellë një moment përplasjeje dhe krijoi një atmosferë të tensionuar mes tyre dhe pjesës tjetër të grupit. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse Big Mama do të arrijë të menaxhojë me sukses jo vetëm buxhetin, por edhe dinamikat që po shfaqen në rritje brenda fermës.