Tjetër zarf në Fermë, çfarë loje ka rezervuar këtë herë Agai për fermerët?
Pas dy muajsh bashkëjetese të mbushur me sfida, debate dhe momente intensive, Agai ka vendosur të rikthejë në vëmendje një nga elementët më karakteristikë të jetës në Fermë: epitetet.
Një zarf i mbërritur sot në fermë njoftoi një lojë provokuese, që me siguri do të trazojë ujërat dhe do të nxjerrë në pah mendimet e vërteta të fermerëve për njëri-tjetrin.
“Fermerë, tashmë kanë kaluar dy muaj nga bashkëjetesa në Fermë dhe asgjë nuk ka qenë e lehtë për ju, madje as epitetet që i keni vendosur njëri-tjetrit. Agai ka përzgjedhur 20 prej epiteteve që keni përdorur më së shumti dhe i vendos sot në tavolinë…”, thuhej ndër të tjera në zarfin e Agait.
Sipas udhëzimeve, çdo fermer do të zgjedhë një letër ku është shkruar një epitet dhe do t’ia adresojë një fermeri tjetër, të cilit beson se i përshtatet më shumë. Përveç përzgjedhjes, do të duhet të argumentojnë zgjedhjen, ndërsa fermeri që merr epitetin ka të drejtën e kundëreplikës.
Pasi epiteti është diskutuar, të gjithë fermerët do të votojnë me “po” ose “jo” nëse janë dakord me atë përzgjedhje. Loja do të zhvillohet në dy raunde, duke garantuar tension, të qeshura, por edhe debate të forta.
Kjo sfidë, më shumë se lojë, pritet të shërbejë si një pasqyrë e marrëdhënieve reale në Fermë dhe si një test i sinqeritetit mes fermerëve.
A do të jenë fermerët të hapur për të thënë mendimet e tyre në sy? Apo epitetet do të hapin plagë të vjetra në lojë? E gjitha do të zbulohet gjatë sfidës më të ndjeshme të kësaj jave në Ferma VIP.
“Fermerë, tashmë kanë kaluar dy muaj nga bashkëjetesa në Fermë dhe asgjë nuk ka qenë e lehtë për ju, madje as epitetet që i keni vendosur njëri-tjetrit. Agai ka përzgjedhur 20 prej epiteteve që keni përdorur më së shumti dhe i vendos sot në tavolinë. Duke zgjedhur një nga letrat do të lexoni epitetin e shkruar dhe do t’ia adresoni fermerit që mendoni që i përshtatet duke i shoqëruar me arsyetimet tuaja. Fermeri që merr epitetin ka të drejtën e kundëreplikës. Në fund të çdo epiteti të gjithë ju do të votoni nëse jeni dakord me këtë zgjedhje me po ose jo. Kujdes, një epitet mund t’i vihet vetëm një fermeri. Këtë sfidë ju do e realizoni në dy raunde”, thuhej në zarfin e dërguar nga Agai.