Sfida e Agait, Andueli ndan fermerët në çifte; çfarë do të realizojnë ata?
Një zarf i ri ka mbërritur sot në Ferma VIP. Agai ka vendosur një tjetër sfidë unike, që këtë herë teston jo vetëm forcën fizike, por edhe durimin dhe balancën e fermerëve. Në bashkëpunim me kompaninë Vita, Agai ka përgatitur një lojë ndryshe nga çdo sfidë tjetër deri më tani.
Sipas zarfit, fermerët do të ndahen në çifte, bazuar në peshën e trupit për të balancuar sa më mirë sfidën dhe çdo çift do të vendoset në një platformë, përballë një peshoje.
Në anën tjetër të peshores ndodhet një kovë me ujë Vita, që përbën peshën që duhet mbajtur në balancë dhe secili fermer duhet të qëndrojë me vetëm një këmbë, duke mos e hequr për asnjë moment, ose ndryshe çifti skualifikohet.
Çifti që reziston më shumë do të shpallet fitues i sfidës, ndërsa Agai do të vendosë më vonë për fituesit dhe humbësit, si dhe për çdo shpërblim apo penalitet të mundshëm.
“Fermerë, e ndjeni mungesën e njëri-tjetrit në sfidë. Vita sjell një sfidë durimi dhe ekuilibri. Të ndarë në dyshe, do të qëndroni në një platformë dhe do të duhet të mbani në ekuilibër kovën Vita që keni në anën tjetër të peshores. Secila dyshe do të vendosë vetëm njërën këmbë për të mbajtur peshën e kovës. Kujdes, në asnjë moment nuk duhet hequr këmba nga baraspesha. Dyshja që reziston më shumë shpallet fitues. Vendimin për fituesit dhe humbësit e jep Agai në një moment të dytë. Suksesi i sfidës është në këmbën tuaj. Lexoni komunikimin e dytë për ndarjen e çifteve. Për të realizuar ndarjen e dysheve do të duhet të peshoheni”, thuhej në zarfin e dërguar nga Agai.
Andueli ka nisur të peshojë të gjithë fermerët dhe të mbajë shënim peshat e tyre në mënyrë që të bëjë balancimin e tyre për sfidën.
Dy fermerët të cilët do të bëhen çift me njëri-tjetrin duhet të kenë peshën e përafërt me çiftet e tjera në mënyrë që të mos ndikojë negativisht në sfidë.
Çiftet janë si më poshtë: Big Basta-Elinara, Ylli-Nenna, Andrea-Erandi dhe Big Mama-Ester.
Kjo sfidë do t’i vendosë fermerët përballë një prove të vërtetë qëndrueshmërie dhe bashkëpunimi, ku balanca fizike dhe bashkëpunimi mes çifteve do të jenë çelësi i fitores.