loading

“Gatuajmë me Big Bastën”: Argëtim dhe shije në Fermë me Ester dhe Elinarën

Përtej punëve të përditshme, debateve dhe dinamizmit të zakonshëm në Fermë, dita e sotme ka sjellë një dozë të mirë humori dhe argëtimi falë një iniciative spontane nga Big Basta. Me stilin e tij karakteristik dhe energjinë pozitive, ai ka hapur “emisionin” e tij të gatimit brenda fermës, të quajtur Gatuajmë me Big Bastën”, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe zbavitëse për të gjithë.

E ftuara e parë e “programit” ishte fermerja Ester, e njohur për pozitivitetin dhe përfshirjen aktive në jetën e fermës. Së bashku, ata nisën të gatuajnë, duke kombinuar recetat me batuta e momente të lezetshme që u pritën shumë mirë nga fermerët dhe publikun që ndjek përditë jetën në fermë. Emisionit iu bashkua edhe fermerja Elinara, të cilën Big Basta e prezantoi si “një nga artistet më të mira në Shqipëri”, duke i shtuar një tjetër dimension zbavitës episodit.

Treshja, ndërsa përgatiste ushqimin për pjesën tjetër të banorëve, dhuroi një performancë spontane e plot të qeshura, duke treguar edhe një herë se përtej sfidave dhe lodhjes, fermërët dinë si të krijojnë atmosferë pozitive dhe të bashkuar. Ky episod i improvizuar u kthye në një nga momentet më të bukura të ditës, duke i dhënë jetës në fermë një frymë të freskët dhe duke afruar më shumë publikun me anën tjetër, më të butë dhe argëtuese të banorëve.