Dron në fermë/ Andueli surprizohet nga familja
Veranda e fermës u shndërrua sot në një skenë emocionesh, muzikë dhe ndjeshmëri. Fermerët ishin mbledhur për të kaluar disa momente relaksi së bashku, kur Andueli, i njohur tashmë për talentin e tij muzikor, mori kitarën në duar dhe nisi të këndojë. Zëri i tij melodioz, i shoqëruar nga tingujt e kitarës, krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe familjare.
Performancës së tij iu bashkuan edhe Ester dhe Keisi, të cilat me zërin e tyre sollën harmoni dhe energji pozitive. Të gjithë fermerët u përfshinë në këtë moment të veçantë, duke e shijuar bashkë një copëz qetësie dhe gëzimi të përbashkët larg dinamikës së ditëve të zakonshme në fermë. Por emocionet nuk ndaluan aty. Papritur, një zhurmë droni u dëgjua nga qielli, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e të gjithëve. Ishte një dron surprizë për Anduelin. Sapo ai kuptoi që droni mbante një foto të tij me gjyshen e tij, emocionet ishin të shumta.
Me lot në sy dhe një buzëqeshje, ai e mori foton në dorë dhe e puthi me mall, duke reflektuar lidhjen e fortë që kishte me të. Një moment prekës që preku jo vetëm Anduelin, por edhe gjithë fermerët e tjerë të fermës. Fermerët u mblodhën pranë tij, duke i dhënë përkrahje dhe ndarë emocionin në heshtje e me respekt.