“Më ngrite nga vdekja”/ Big Mama surprizohet nga nëna e saj në Ferma VIP 2; historia prekëse që përloti fermerët dhe publikun
Mbrëmja e sotme në Ferma VIP 2 ishte e mbushur me emocione të forta, ku protagoniste u bë këngëtarja Big Mama me rrëfimin e saj prekës për periudhat më të vështira të jetës.
Ajo ndau me publikun një nga momentet më tronditëse që ka përjetuar: kur ndodhej në SHBA për një koncert dhe mësoi se nëna e saj kishte pësuar paralizë. Si të mos mjaftonte kjo, i njëjti vit u shënua edhe nga një dhimbje e madhe, humbja e babait të saj. Këto ngjarje e bënë atë vitin më të vështirë që fermerja kishte kaluar ndonjëherë.
Për fat të mirë, nëna e saj sot gëzon shëndet të plotë dhe ishte e ftuar surprizë në studio, duke sjellë një nga momentet më të ndjera të mbrëmjes. E përlotur, zonja Emine iu drejtua së bijës me fjalë prekëse.
“Kam ardhur këtu vetëm sepse mendova për gjithçka që ke bërë ti për mua. Prej një njeriu të vdekur më ke ngritur në këmbë. Vetëm ti mund ta bësh”, tha mamaja e Big Mamës.
Përveç emocioneve dhe përqafimeve, nëna e këngëtares dha edhe disa këshilla të vyera për sjellje të kujdesshme dhe përdorim të një fjalori të denjë.
Ky moment nuk preku vetëm Big Mamën, por përloti të gjithë studion dhe publikun, duke sjellë një mbrëmje të paharrueshme për të gjithë ndjekësit e spektaklit.