Pas mëngjesit me kafe dhe çifteli, fermerët i rikthehen punëve në fermë!
Pas një mëngjesi plot pozitivitet, ku kafeja e përgatitur nga Erandi dhe tingujt e çiftelisë së Anduelit sollën atmosferë të ngrohtë në fermë, dita ka vijuar me ritme pune dhe përkushtim nga të gjithë fermerët. Kryefermerja e javës, Ester, mori menjëherë drejtimin e ditës duke ndarë detyrat për secilin fermer. Me energji të mirë dhe organizim të qartë, fermerët u shpërndanë nëpër zona të ndryshme të fermës për të ndjekur detyrat e caktuara.
Frederiku dhe Ylli u zhvendosën drejt serave, ku filluan punën për ujitjen dhe kujdesin ndaj bimëve. Punës së tyre iu bashkua edhe Andrea, i cili u përfshi menjëherë në procesin e mirëmbajtjes së serave, duke treguar bashkëpunim dhe vullnet për të ndihmuar. Ndërkohë, në drejtim të stallave u nisën Elinara dhe Andueli. Elinara u kujdes me dashuri për gomarin e fermës, Ozin, duke e nxjerrë për një shëtitje të lehtë dhe duke e lënë të kullotë. Ajo i foli me përkëdheli, duke e quajtur “bukurosh” dhe duke i premtuar një “xhiro” një moment që tregoi lidhjen emocionale që fermerët kanë krijuar me kafshët e fermës.
Nga ana tjetër, Andueli u përqendrua në pastrimin e stallës së lopëve dhe ushqimin e kafshëve, duke treguar përkushtim e kujdes të veçantë për mirëqenien e tyre.